Periudhës së bukur dhe rehatisë brenda shtëpisë së “Big Brother Vip”, i erdhi fundi pasi gjatë spektaklit të së martës mbrëma, përpos hapjes së televotimit për të larguar një banor nga shtëpia, katër prej tyre, përfshirë dhe liderin e shtëpisë, Ilirin, u dënuan për shkak të disa thyerjeve të rregullave që kishin bërë gjatë ditëve.
Ata duhet të qëndrojnë dy ditë në dhomën e dënimeve, pa asnjë kontakt me konkurrentët e tjerë. Së bashku me Ilirin është dënuar dhe Fifi, Arditi e Paloma, ku kjo e fundit, për shkak se aktivitetet janë të pakta brenda një dhome, ka marrë rolin e “fallxhores” duke i lexuar filxhanin Ilirit.
Edhe pse shumë e morën me shaka, ajo filloi duke shprehur detaje nga jeta personale e Shaqirit, duke përmendur se bashkëshortja e tij, Emanuela ndihej e ngarkuar emocionalisht dhe se ata mund të bëhen prindër për herë të dytë, madje me një djalë.
Por, këto nuk janë gjërat e vetme që ajo ka parë në filxhanin e Ilirit, pasi ka shprehur se sheh disa re të zeza, të cilat nënkuptohen se brenda tij ka një peng të madh dhe se do të ketë disa shpërthime në jetën e tij. Paloma ka zbuluar se di të lexojë filxhan, por ende nuk e dimë sa e vërtetë është kjo, por mbetet për t’u parë se si do të rezultojnë këto parashikime për Ilirin.