Advertisement

Edhe pse është një nga lagjet më të populluara në periferi të qytetit të Elbasanit ajo “5 maji” vuan për gjerat më bazike. Prej më shumë se 20 vitesh banorët thonë se nuk kanë njohur investime, ndaj kanë bindjen se janë braktisur nga shteti. Edhe më e vështirë është e përditshmja për familjet që jetojnë përgjatë rrugës “Aqif Dardha”.

Me të nisur shirat ujërat e zeza i sheh në sipërfaqe të rrugës duke shkaktuar një erë tepër të rëndë. Banorët i shqetësohen ardhjes së verës kur rreziku për infeksione është edhe më i madh.

“Uji i pishëm është elementi bazë për jetesë, po ashtu edhe rruga nuk ka as kanalizime, cdo shi që bie kalon këtu si përrua bëhet si lumë këtu dhe bëhet lagjia plot me ujë, koshat e plehrave mungojnë. Ne këtu paguajmë cdo gjë dhe këta na cilësojnë si non grata. Kemi 25 vite që nuk kemi parë asnjë lloj investimi, kur kërkojnë votën ata na thonë sikur cdo gjë do të bëhet nesër”, tha një banor.

Jo vetëm ujërat e zeza, por mungesa e ujit të pijshëm, infrastrukturës rrugore dhe kontinierëve janë disa nga kërkesat e banorëve. Sipas tyre e kanë të pamundur ekonomikisht të blejnë ujë , ndërsa politika për ta kujtohet vetëm në kohë zgjedhjesh.

“Shumë vështirë për të jetuar këtu, nga shteti nuk ka asnjë lloj investimi. Kur vijnë votimet bëjnë sikur do bëjnë brenda javës gjitha votimet, sa kalojnë votimet nuk vjen asnjë. Deri tani shteti ska bërë asnjë investim”, u shpreh banori.

“Ujërat janë mizerje, ujë të pishëm ska fare. Shumë vështirë për të jetuar këtu, nga korriku dhe më tej nuk ka fare ujë këtu, nuk jetohet pa ujë. E vetmja lagje që ska ujë, jemi vetëm 10 km larg Elbasanit”, tha një banor tjetër.

Për të moshuarit dhe fëmijët mungojnë hapësirat për tu clodhur dhe kaluar kohën e lirë. Të harruar nga të majtë e të djathtë shpesh banorët kanë ndërhyrë vetë për zgjidhjen e problemeve që hasin në komunitet./faxweb.al/

Advertisement

By admin