Advertisement

Bordi i Transparencës vendosi sot rritjen e çmimeve të naftës dhe benzinës, pas shtrenjtimit të tyre në bursat ndërkombëtare. Sipas vendimit të fundit, një litër naftë me pakicë do të tregtohet me 235 lekë për litër, nga 226 lekë për litër që ishte deri tani. Vendimi do të fillojë të zbatohet nga ora 18:00 e pasdites së sotme.

Çmimi për benzinën do të tregtohet me 211 lekë për litër, nga 209 lekë për litër që ishte deri tani.

Çmimi i gazit ka mbetur i pandryshuar në 115 lekë për litër.

“Bordi vendosi miratimin e çmimit tavan të tregtimit me shumicë të produkteve për datën 15.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë: 223 lekë/litër për gazoilin; 199 lekë/litër për benzinën; 103 lekë/litër për gazit të lëngshëm të naftës. Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me pakicë të produkteve për datën 15.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë: 235 lekë/litër për gazoilin; 211 lekë/litër për benzinën; 115 lekë/litër për gazit të lëngshëm të naftës. *(çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën)”, thuhet në vendimin e publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti, heqje licence dhe sekuestrim.

Advertisement

By admin