Advertisement

Shqipëria nuk kërcënohet ushtarakisht nga lufta në Ukrainë, por kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar qytetarët që të përgatiten psikologjikisht për skenaret më dramatike të mundshme të pasojave ekonomike, përfshirë këtu edhe shkurtime dramatike të energjisë dhe naftës.

Kreu i qeverisë theksoi se ajo se çfarë po në ndodh në Ukrainë nuk është një film, prandaj duhet marrë seriozisht, e pikërisht për të përballuar të gjitha pasojat që do të sjellë lufta, ai njoftoi se do të krijohet një komitet ndërministror me qëllim që efektet të jenë sa më të pakëta.

Për të vënë në dukje rreziqet që sjell kjo luftë, Rama e krahasoi me pandeminë e COVID-19, ku nuk dihej se kur do t’i vinte fundit, tha se duhet të jemi gati për skenare të ndryshme.

“Duhet të përgatitemi për çdo skenar, askush nuk e di se çfarë do të ndodh, jemi në të njëjtat kushte me pandeminë, kur nuk e dinim kohëzgjatjen, zhvillimet në dinamikën e tyre dhe kur u përgatitëm për disa skenarë. Duhet të përgatitemi psikologjikisht edhe për shkurtime dramatike të furnizimeve me energji ose naftë, ky është skenari më dramatik”, u shpreh kreu i qeverisë.

Ajo që është më shqetësuese, tha ministrja e energjisë Belinda Ballkuku, është mungesa e energjisë elektrike në treg. Ministrja nuk foli për një rritje të çmimit të energjisë, por për një plan kursimi. Ajo ka njoftuar se qeveria ka gati një plan masash për të kursyer që do të nisë fillimisht nga administrata dhe më pas do të shtrihet edhe të qytetarët. Në këtë plan parashikohet mes të tjerave, fikja e dritave të godinave shtetërore, e pajisjeve të punës pasi të kalojë orari zyrtar, apo edhe për qytetarët.

“Nuk ka sasi në treg dhe do të sjellë kufizime dhe kjo duhet pasur e qartë, po punojmë për të optimizuar kaskadën dhe për të mos ta futur vendin në vend kufizimesh, por vendet e tjera e kanë nisur, e kanë nisur nga administrata godinat që ndriçohen nga jashtë apo brenda, nga ndërprerja e pajisjeve pas përfundimit zyrtar apo edhe masa të tjera që do i ndajmë se do ketë edhe paketë masash për kursim të qytetarëve si të përdoret kondicioneri, si të ndizen dritat një orë më vonë, se si industria nuk duhet të përdor sasitë që nuk janë të nevojshme”, tha Balluku.

Advertisement

By admin