Në aksidentin e rëndë në paraditen e së martës në aksin Elbasan-Librazhd ku ndërruan jetë 3 persona, rezultoi se dy të mbijetuarit janë të afërmit e moderatores Valbona Mhilli. E ftuar në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan ajo rrëfen detaje të tjera të treguara nga 21-vjeçarja Ambra, e cila është kushërira e saj.

Valbona Mhilli: Momente të vështira sepse ata kanë ndierë çdo gjë. Ambra, që sot është shumë mirë, faleminderit Zotit dhe Eli, mban mend çdo gjë. Ambra mban mend aksidentin si ka ndodhur dhe për fatin e mirë ka mundur të hapë siguresën e derës që e ka bërë më të lehtë për ata që kanë shkuar t’i ofrojnë ndihmë. Mban mend çdo lloj reagimi.

Më tej, bazuar pikërisht në këtë kujtesë të Ambrës për reagimet e personelit mjekësor gjatë kohës që ajo ka qenë pa ndjenja, Valbona bën një thirrje për ata që ne i shohim si shpëtimtarë. Teksa thekson se profesioni i mjekut është thelbësor, po ashtu nevojitet që ata të përçojnë kurajë dhe jo përbuzje gjatë detyrës së tyre.

Valbona Mhilli: Mjekë dhe infermierë që janë kujdesur për Ambrën dhe Elin, kanë dëgjuar gjëra të tmerrshme, komente të tmerrshme.

Katerina Trungu: Komente? Nga njerëzit rreth e rrotull për profesionin do të thuash?

Valbona Mhilli: Jo, për Ambrën dhe Elin. Unë nuk dua t’i përmend me emër, por përfitoj nga rasti që ne kemi mundësinë për të bërë thirrje publike që ne ju shohim si shpëtim dhe nëse ka ndodhur te kushërira ime, mos e përsërisni për njerëz që kanë nevojë dhe ndodhen në prag të vdekjes.

Katerina Trungu: Më fal, mjekët kanë bërë komente të ndryshme për personat që ishin të aksidentuar? Fjalë në lidhje me paraqitjen, me nderin, s’po kuptoj?

Valbona Mhilli: Ndoshta me paraqitjen se me nderin nuk e njeh personin në fjalë, por që të thuash që “nuk do shpëtojë kjo vajzë” dhe të marrësh një batanije dhe t’ia mbulosh surratin ndërkohë që është e intubuar, a po lufton me jetën, është shumë e trishtë.

Kushërira e Valbonës, Ambra gjatë kohës që ka qenë në reanimacion, ka ndierë e dëgjuar gjithçka. Kur është përmendur, ajo iu ka treguar të afërmve gjithçka ka dëgjuar, madje dhe kujtonte shumë mirë fjalët e tyre. Në po të njëjtën mënyrë, ajo kujton edhe fjalët e veprimet e mjekëve.

Valbona Mhilli: Ambrën e kemi parë në këmbë dhe thoshte ti ke ardhur kaq herë, ti ke thënë këto fjalë, ti më ke thënë këtë gjë, dinte çdo gjë. Më e trishta ishte që thoshte “mua më fshihnin në momentin që merrnin vesh që ju do vinit për të më parë”. Me kaq dua ta lë./tvklan.al

By admin