Në mbledhjen e parë të muajit Janar, këshilltarët bashkiakë kanë ngritur shqetësimin për ndotjen, e cila vijon në zonën e kombinatit Metalurgjik. Në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe Indrit Abdiaj, Këshilltar i Partisë së Gjelbër Elbasan, raporton elbasaniplus.
“Une ftoj inspektoriatet dhe gjithë agjensitë e tjera, që janë për kontrollin dhe monitorimin e këtyre bizneseve, të marrin masat e nevojshme. Të shkojnë pranë këtyre bizneseve, të monitorojnë, të shikojnë vlerat e tyre dhe të bëjmë diçka që t’ju vijë në ndihmë banorëve, shëndetit të banorëve, sidomos të zonave përreth. I ftojmë bizneset të ndjekin rregullat, të zbatojnë ligjet.
Ti nxisim këto biznese të bëhen partnerë në minimizimin e ndotjes, të mos kompromentohet me zhvillimin ekonomik por edhe turistik të zonës së Elbasanit. Është e vërtetë që ne do të shohim edhe raportin e punësimit apo edhe zhvillimit ekonomik. Ky raport duhet të jetë me një kosto sa më të ulët për shëndetin e banorëve dhe për të ardhmen e brezave, pasi nuk mund të shkaktojë pasoja sociale por edhe shëndetësore. Gjithkush që vjen në Elbasan duhet të jetë i qartë që këtu ka një rregullore, që ka disa gjëra për tu zbatuar. Përfitimet ekonomike nuk mund të vihen para jetës së qytetarëve.
Sipas këshilltarëve, institucionet kompetente janë dorëzuar para situatës në Metalurgji, e cila helmon qindra njerëz.
Bizneset shtohen dita-ditës,- thanë këshilltarët dhe askush nuk i vendos ata të zbatojnë rregullat.
Të Gjelbrit, ambientalistët dhe shoqëritë civile do të qëndrojnë gjithmonë në krah të banorëve, në mbrojtje të jetës së tyre, jo vetëm nga kombinati metalurgjik por edhe nga çdo përfitim tjetër ekonomik që është rrezik për të gjithë ne.