Një operacion i mirëmenduar policor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka bërë të mundur arrëstimin e një personi i cili mbante në banesë armë dhe municion luftarak. Nga të dhenat e policisë mësohet se 44-vjeçari posedonte një armë zjarri kallashnikov, një pushkë sportive me dylbi, municion luftarak e sende të tjera të kundraligjshme, raporton elbasaniplus.

Njoftimi i policisë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Kral”, për goditjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo  i mbajnë në banesë pa leje. Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan. Sekuestrohet një armë zjarri kallashnikov, një pushkë sportive me dylbi, municion luftarak e sende të tjera të kundraligjshme.

Vihet në pranga një  44 vjeçar.

Në zbatim të planit të masave për kontrollin e personave që mbajnë armë pa leje, bazuar në  informacionet e  siguruara në rrugë operative dhe ndjekjen me metoda proaktive, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Kral”  në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

-G.D., 44 vjeç, banues në lagjen “Visarion Xhuvani”  Elbasan.

Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të banesës së 44 vjeçarit, gjetën e sekuestruan një armë zjarri kallashnikov, një pushkë sportive me dylbi, rreth 500 copë fishekë  luftarak për pistoletë, kallashnikov e mitraloz, një përforcues grushti,një thikë dhe 7 karikatorë.

Provat e mësipërme janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë për t’u ekzaminuar nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.

Gjithashtu po vazhdon puna për dokumentimin e mëtejshëm ligjor të kësaj ngjarje dhe të aktivitetit kriminal të këtij shtetasi nëse është i implikuar në ngjarje  kriminale të ndodhura më parë.

Materialet  i kaluan për veprime të mëtejshme hetimore  Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe  prodhimi i armëve,  armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

By admin