Kontrolle në pikat doganore, tregje e njësi tregtare, për parandalimin e futjes dhe hedhjes në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve, që rrezikojnë sigurinë publike, jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Masat e shtuara konsistojnë në rritjen e kontrollit të territorit, për të verifikuar zbatimin e kritereve të prodhimit, magazinimit e përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve, në prag të festës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

Strukturat e Policisë në të gjithë vendin, në zbatim të porosive të lëna në telegramin e dërguar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, për zbatimin e kërkesave të rregullores “Për mënyrën, kushtet dhe kriteret e magazinimit e përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve”, të ligjit Nr. 73, datë 03.06.2021 “Për hedhjen në treg dhe mbikëqyrjen e artikujve piroteknikë”, urdhrit të MB “Për miratimin e rregullores për mënyrën, kushtet dhe kriteret e magazinimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve”, kanë intensifikuar kontrollet në pikat doganore, tregje e subjekte tregtare.

Me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt për qytetarët, me rastin e festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri 2022, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka kërkuar të gjitha strukturave vendore të Policisë, marrjen e masave për zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore, për parandalimin e shkeljeve dhe ngjarjeve të ndryshme në prag të festave të fundvitit, si dhe zbatimin e disa detyrave shtesë, të cilat konsistojnë në:

– Shtimin e kontrolleve çdo ditë, për verifikimin e aktivitetit të subjekteve të licencuara dhe njësive që tregtojnë fishekzjarrë, nëse i tregtojnë ato sipas përcaktimeve “Artikuj të lejuar e të ndaluar”;

By admin