Në mungesë të Jonida Aliçkollit, në “Pardon My French”, Alban Ramosaj ishte bashkëprezantues me Eno Popin. Ndër të tjera, ai foli për fillimet në karrierë, pjesëmarrjen e tij në “Festivalin e Këngës”, dhe sfidat për “Theje”. Por sigurisht, foli edhe për motrën e tij Beatrix, dhe qëndrimin në “Big Brother VIP”, që është në qendër të vëmendjes, për shkak të raportit me Donaldin.

Por si e priti Albani vendimin për të hyrë në “Big Brother VIP”? “Kisha mendime të ndryshme, por në fund thashë, pse jo?! Unë e njoh më mirë se kushdo Trixën, është njeriu më pozitiv dhe i sjellshëm. Ajo ka atribute që shumë femra duhet ta marrin shembull, pavarësisht se këto kohë është interpretuar ndryshe…

Trixa është futur me një qëllim, të krijojë kujtime të bukura, të jetojë siç ka qejf, pa asnjë lloj djallëzie… Është një njeri që jeton poetikisht dhe dëshiron të krijojë momente…”, tha Albani, me fjalët më të ëmbla për motrën. Sa i përket raportit me Donaldin, të cilin e komentonte për herë të parë, Albani tha se e vërteta del gjithnjë në pah.

“Ka qenë pak shqetësuese, por kur rri mendoj, kuptoj që nuk kanë idenë çfarë po flasin. Nuk na prek sepse ne e dimë se kush është Beatrix, e vërteta gjithmonë del. Nuk kemi asnjë lloj shqetësimi, shqetësimi i vetëm është që më ka marrë malli… Unë jam shumë i lumtur. Ajo gjithmonë ka patur problem të gjejë dikë që ta dashurojë dhe ta dojë.

Është shumë e mirë pa pikë djallëzie. Ajo motra ime jeton nëpër filma, dashuron pa kushte, lum ai që do mund ta bëjë për vete…”, tha këngëtari. Megjithatë ai shtoi se Donaldin nuk e ka takuar asnjëherë, e as ka shkëmbyer asnjë fjalë të vetme me të.

Më pas Albani u ndal te Festivali i RTSH-së, aty ku ai konkurron me këngën “Theje”, që deri tani konsiderohet si një ndër këngët favorite bashkë me “Sekretin” e Ronela Hajatit, për të fituar vendin e parë në këtë festival që të dërgon në Eurovizion. Pasi fitoi “Këngën Magjike” me “Thikat e Mia”, Albani tani do synojë të përsërisë të njëjtin sukses por në Festivalin e RTSH-së tashmë.

By admin