Stinën e vjeshtës gati-gati nuk e ndjemë fare. Madje pati njerëz, që frekuentonin plazhet në nëntor. Por gjithë ajo që nuk ra në vjeshtë, po ndodh këto ditët e fundit, që po karakterizohen nga stuhitë dhe reshjet. Ndërsa dimri do tregojë “dhëmbët” që ditët e para, parashikojnë meteorologët.
Stuhia që ka përfshirë vendin tonë e ka origjinën nga jugu i Europës. Era me shpejtësi deri në 70 km/orë, ka vështirësuar lundrimet. Stuhitë dhe reshjet do vazhdojnë gjithë fundjavën. Të martën nuk do ketë stuhi, por ulen ndjeshëm temperaturat deri në -6 gradë celsius.
Kjo si pasojë e një mase të ftohtë siberiane. Verilindja, dhe juglindja do të përfshihen nga reshje dëbore jo vetëm në zonat malore, por edhe në qytete.
“Mbrëmë gjatë natës ka patur hyrje të një stuhie që është me origjinë nga Europa e Jugut, duke sjellë reshje në gjithë rajonin, madje janë shfaqur stuhi tëe forta detare. Parashikohen reshje të konsiderueshme edhe në orët në vijim, sidomos në zonën jugore. Ditët në vijim, gjatë festave, do kemi vranësira dhe shira.
Do ketë një përmirësim të dielën, por ndryshon sërish të hënën. Të hënën gjatë natës do të kemi edhe reshje dëbore në gjithë zonën malore. Në momentin e ndalimit të reshjeve, do kemi temperature të ulëta, deri në -7 gradë. Pra, dhjetori nis me temperatura të ulëta, menjëhërë, që në ditët para”, shprehet Lajda Porja për Top Channel.
Drejtuesit e mjeteve duhet të kenë kujdes që të zëvendësojnë ujin e zakonshëm të makinave me antifrizë në mënyrë që të mos ngrijë. Kjo do të eleminojë ngrirjen e ujit dhe për pasojë çarjen e tubave të sistemit të ftohjes së motorrit të makinave.