Teksa sot pritet votimi i paketës fiskale, Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi nga foltorja e Kuvendit ka prezantuar në Parlament tre amendamente që konsistonin në ndihmë të dhënë për fermerët.

 “Kam marrë përsipër të paraqis tre amendamente, që kanë të bëjnë për bujqësinë. Amendamenti i parë ka të bëjë sepse fermerët ndodhen në vështirësi të mëdha. Ky sektor është shumë i vështirë. Duke parë me vëmendje projektbuxhetin vërejmë që zhvillimi rural, shohim që investohet rreth 64 mln euro për fermerët. Sigurisht shikojmë që kjo shifër nuk është e vërtetë, është 3.6 mld, që i bie 18 mln euro. Për të qenë korrekt, një nga propozimet është të shtohet ndihma në 7.1 mld, ajo që vetë kryeministri thotë dhe trumbeton. Mundësitë për ta bërë këtë do të jenë të menjëhershme. Duke pasur parasysh situatën, fermerët e kanë të domosdoshme. Dy amendamentet e tjera kanë të bëjnë me paketën fiskale. Kur hoqëm TVSH ndryshimi i çmimeve të imputeve ishte zero, por ta rikthesh atë sërish do të thotë t’ia rrisësh çmimin. Kjo rritje e TVSH pa u konsultuar me fermerët do të ketë impakt të drejtpërdrejt. Do të ishte gjë e mirë për ta parë me pozitivitet, sepse është më e rëndësishme për të parë gjërat me syrin e hallexhinjve.

Një nga pikat e tjera është dhe shfuqizimi i pikës C. Kjo do të thotë që të gjithë fermerët që blejnë makineri prej 10 mijë eurosh, duhet të paguajnë 12 mijë euro. Ajo që ne diskutuam dhe thanë parafolësit, heqja e TVSH për ato që kanë investime mbi 500 mln të ardhura. Shumica e tyre nuk kanë mundësi të financojnë këtë shifër. Duke kërkuar të votoni këto tre amendamente do të bëni të mundur shanse dhe hapësira për fermerët, e duke pasur parasysh që 52% e shqiptarëve jetojnë me bujqësi. Të fillojmë të mendojmë për ta, sepse ulja do të vijë po këtu, do të vijë edhe konkurrenca e drejtë në rajon dhe më e rëndësishmja të krijojmë hapësira më shumë për ta stimuluar këtë sektor”, tha Kryemadhi.

By admin