Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti thotë se Shqipëria e ka kaluar pikun e infeksioneve nga varianti Delta i Covid, por sërish kërkon kujdes. Sipas tij të gjithë indikatorët epidemiologjikë në vend tregojnë qartë fillimin e rënies që javën e kaluar. “Vala delta po thyhet miqtë e mi! Më 30 gusht 2021 kemi përllogaritur që piku i valës Delta në Shqipëri do të arrihej ndërmjet datave 5 dhe 15 shtator 2021!

Më 14 shtator pamë sinjalet e para të fillimit të rënies, me rënien për herë të parë të rasteve aktive”, shkruan ai në Facebook. Megjithatë, Alimehmeti kërkon durim dhe thotë se pas dy javëve do të kuptohet më mirë situata.

“Megjithatë, tashmë e kemi mësuar që duhet të presim të paktën një javë dhe idealisht dy javë për të qenë më të bindur për trajektoren. Sot, datë 23 shtator 2021, të gjithë indikatorët epidemiologjikë tregojnë qartë fillimin e rënies që javën e kaluar!”, shkruan ai.

Alimehmeti thotë se po bie mesatarja e rasteve të reja në bazë 7-ditore, numri i rasteve aktive, përqindja e pozitivitetit të testimeve në bazë javore dhe incidenca e rasteve të reja për 100 mijë banorë.

“Kujdes tani miqtë e mi, sepse aksidente në mal ndodhin më shumë gjatë zbritjes se sa gjatë hipjes! Duhen edhe disa javë përpara se të zbresim plotësisht.

Fatkeqësisht humbjet e jetës janë më të vonuara me 10-14 ditë në krahasim me rastet e reja dhe rënia e tyre do të fillojë në gjysmen e parë të tetorit, nëse rënia e rasteve është e vazhdueshme!”, shkruan ai. Në fund, mjeku bën thirre për vaksinim, ruajtje distance dhe shmangie të grumbullimeve.

By admin